18/07/2017



Inspektorati Kombëtar I Mbrojtjes së Territorit ka kallëzuar penalisht kryetarin e Bashkisë së Kamzës Xhelal Mziu. Në ushtrim të detyrave dhe përgjegjësive ligjore, IKMT përgjatë një kontrolli të ushtruar në IMT e Kamzës ka vërejtur mosveprime nga ana e kryeinspektorit dhe inspektorëve të këtij institucioni, që përbëjnë kundërvajtje penale të parashikuara në ligj.

Nga 89 vendime për prishje objekti, mes të cilave vetëm 48 në periudhën maj-qershor të këtij viti, nuk është ekzekutuar asnjë. Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të kryeinspektorit drejtuar kryetarit të bashkisë si organi epror, për sigurimin e mjeteve për ekzekutimin e këtyre vendimeve nga ana e kryebashkiakut nuk është ndërrmarrë asnjë veprim.

I çuditshëm është fakti se pjesa më e madhe e vendimeve për prishje objekti janë marrë në periudhën parazgjedhore, fakt që ngre dyshime të arsyeshme se janë përdorur si mjet presioni apo favorizim personash me qëllim përfitimi elektoral.
Për këto shkaqe, IKMT ka kërkuar nga prokuroria e Tiranës, fillimin e procedimit penal për Xhelal Mziun, kryetar i bashkisë Kamëz, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.


IKMT në ushtrim të funksioneve dhe detyrave ligjore të saj do të vijojë si përherë kontrollet e befta dhe periodike në të gjitha IMT e bashkive në Shqipëri, me qëllim verifikimin e zbatimit të vendimeve, dhe punës së kryer në shërbim të qytetarëve dhe territorit shqiptar.

KAMZA