03. 12.2014
kom


Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar ka vijuar mëngjesin e sotëm punën në kryeqytet për prishjen e ndërtimeve të paligjshme dhe lirimin e hapësirave publike. Prej tre ditësh, inspektorët dhe mjetet e INUK janë përqëndruar në njësinë NR.5 në Tiranë, në zonën e Tiranës së Re, përkatësisht nga “pallati me shigjeta” në drejtim të shkollës “Vasil Shanto” e deri në kryqëzimin e “Komunës së Parisit”.
Një ditë më parë, janë prishur 94 objekte me përmasa të ndryshme, ndërkohë që sot deri në mesditë, janë prishur 50 objekte ku përfshihen edhe godina të mirëfillta njëkatëshe me funksion biznese, lokale, kancelari. Po ashtu janë prishur edhe konstruksione të mëdha metalike dhe druri, platforma betoni, shtesa anësore dhe ballore.
Në shumicën dërrmuese të punës, INUK ka gjetur bashkëpunimin e qytetarëve të Tiranës, të cilët kishin përfunduar çmontimet e ndërtimeve të ngritura në mënyrë të paligjshme, duke lehtësuar ndërhyrjen e inspektorëve dhe mjeteve të INUK.
Nga ana e tyre, zyrtarët e Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar kanë shprehur vullnetin e tyre për vazhdimin e punës së nisur në Tiranë, me qëllim lirimin e hapësirave urbane dhe kthimin e pamjes normale të kryeqytetit.
Për këtë INUK, vazhdon të kërkoje mirëkuptimin e qytetarëve për shkaktimin e zhurmave pranë banesave të tyre, për bllokimet periodike të trafikut, duke i siguruar ata, se INUK është tërësisht në ndihmë dhe shërbim të qytetarëve dhe ligjit.