10696373 345356505589091 6584481506698869015 n

07.01.2015


Kryeinspektorja e Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, Dallëndyshe Bici, prej Pogradecit, ku është e instaluar prej disa ditësh, ka bërë “bilancin” e operacionit të deritanishëm në Hudënisht. “Puna në Hudënisht ka vijuar me shumë intensitet, në fazën e dytë të operacionit të nisur që vitin e kaluar”, ka thënë Bici. Sipas saj deri tani janë përdorur fadromat në rrëzimin e njësërë godinave me përmasa të ndryshme, ndërkohë që nesër rreth orës 12.00 në një godinë gjashtë katëshe do të përdoret lënda ekzplozive.

“Për ndërtesa të tjera që mund të duan sërish lëndë plasëse do të jenë specialistët që do të vendosin. Por puna e INUK nuk mbaron këtu. Pas prishjes së objekteve, Inspektoriati do të vijojë me rahabilitimin dhe pastrimin, sepse nuk mund t’ë lemë gërmadha pas, por kërkojmë kthimin e turizmit elitar në Pogradec”, ka thënë Bici.

Kryeinspektorja ka theksuar se me të njëjtin intensitet dhe forcë INUK do të veprojë edhe në qytete të tjera të Shqipërisë, ku ajo ka nënvizuar planin për “Gjanicën” në Fier, operacionet e reja që do të nisin në lagje të ndryshme në kryeqytet, si edhe në qytete tëtjera.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve përsa i takon një godine ku dy ditë më parë u deklarua se ishin ngujuar persona dhe përsa i takon pretendimeve të disa prej pronarëve, ajo tha:  Ne jemi në zbatim të një Vendimi të Këshillit  të Ministrave për një sërë objektesh në një zonë të caktuar. Përsa i takon objektit të quajtur “Kukësi”, ai është si gjithë të tjerët, është vlerësuar dhe është dëmshpërblyer sipas kuadrit ligjor në Republikën e Shqipërisë. Megjithatë unë shpreh keqardhjen që ata janë keqpërdorur nga persona të tjerë.

Ndërkohë përsa i takon rekomandimeve të bëra nga Avokati i Popullit, kryeinspektorja e INUK tha: Jo vetëm rekomandimet e Avokatit të Popullit, por të kujtdo institucioni në Republikën e Shqipërisë do të merren parasysh, sepse INUK vepron mbi bazën e ligjeve dhe kuadrit ligjor të miratuar nga ligjvënësit. Edhe njëherë garantoj qytetarët dhe Avokatin e Popullit që të gjitha rekomandimet do të merren parasysh, sipas gjithë legjislacionit në fuqi.