18/02/2015

 
 
 vlore






Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit prej së paku dy javësh ka filluar operacionin në Vlorë në zbatim të planit për lirimin e hapësirave publike, duke shembur objektet e vlerësuara të paligjshme. Nga azhornimi i bërë nga inspektorët e IKMT  u identifikuan rreth 1 mijë objekte të tilla. Deri ditën e sotme, e mërkurë 18 shkurt 2015, mjetet e IKMT kanë prishur 517 objekte të paligjshme, mes tyre ndërtesa, shtesa, mure, kioska etj.


IKMT ka pasur një bashkëpunim të ngushtë me qytetarët e Vlorës nëpërmjet kontakteve direkt, apo mjeteve alternative të komunikimit. Interesimi dhe dëshira për të qenë pjesë e rehabilitimit të Vlorës ka qenë i lartë, duke përcjellë tek IKMT një numër denoncimesh dhe ankesash, që kanë ndihmuar Inspektoratin në punën e tij në këtë qytet.

Ndërkohë që puna e IKMT njëkohësisht ka vijuar edhe në lagjen “Kushtrimi” po në Vlorë, këtë rradhë në mbështetje të projektit të qeverisë për rrugën “Transballkanike”. Deri ditën e sotme, IKMT ka shembur në këtë operacion 81 objekte, ndërkohë që puna vijon me ritëm të lartë.

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit do të vazhdojë operacionet në qytetin e Vlorës duke u përqëndruar edhe në zona të tjera, si dhe në përfundimin e punës për lirimin e zonës ku do të lidhet autostrada e Vlorës me “Transballkaniken”.