Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit zhvilloi një takim me përfaqësues të Shoqatës së Ndërtuesve, ku u dakordësua nisja e një faze të re bashkëpunimi përmes institucionalizimit të një tryeze të përbashkët pune, e cila do të shërbejë si një platformë periodike ndërveprimi dhe dialogu mes palëve.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e sektorit të ndërtimit u informuan mbi reformën e re të inspektorateve, ndërsa nga ana tjetër u dëgjuan me vëmendje edhe shqetësimet dhe sugjerimet e tyre lidhur me funksionimin e procesit të kontrollit dhe mbikëqyrjes në terren.

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit thekson se prioriteti i tij nuk është ndëshkimi, por parandalimi i shkeljeve. Masat administrative dhe gjobat nuk përbëjnë qëllim në vetvete, por janë një mekanizëm që vihet në zbatim vetëm në rastet kur subjektet nuk reflektojnë dhe nuk përmbushin detyrimet ligjore brenda afateve të përcaktuara.
IKMT mbetet i vendosur të mos tolerojë asnjë shkelje që cenon ose bie në kundërshtim me lejet e miratuara të ndërtimit, veçanërisht ato që lidhen me respektimin e kërkesave teknike dhe standardeve të sigurisë.

Njëkohësisht, përfaqësuesit e sektorit të ndërtimit u inkurajuan që të denoncojnë çdo rast të mundshëm të sjelljeve arbitrare apo joetike nga ana e punonjësve të IKMT-së, duke u garantuar se çdo ankesë do të shqyrtohet me seriozitet dhe se do të merren masat përkatëse në përputhje me rastin konkret.

