IKMT Zhvilloi Takim me Drejtuesit Rajonalë për Forcimin e Masave në Mbrojtje të Mjedisit

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit zhvilloi sot një takim pune me drejtuesit rajonalë të institucionit dhe përgjegjësit e sektorit të mjedisit, ku në fokus ishte parandalimi i shkeljeve ligjore në fushën e mjedisit dhe forcimi i kontrolleve në terren.

Gjatë takimit u theksua nevoja për një ritëm të ri pune dhe rritje të angazhimit institucional, në kushtet kur mbrojtja e mjedisit përbën një prioritet të rëndësishëm edhe në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe mbylljes së kapitujve të negociatave ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian.

Në vijim, u bë prezantimi i drejtorit të ri, Ersid Hasanllari, ndërsa u kërkua intensifikim i ndërhyrjeve proaktive në terren për evidentimin e zonave problematike dhe marrjen e masave të menjëhershme e të forta ndaj çdo subjekti që cenon mjedisin.