Në përgjigje të interesimit të medias “Për verifikimin mbi punime të dyshuara në zonën e mbrojtur Pishë-Poro-Nartë”, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) sqaron:
Në vijim edhe të shqetësimeve të shprehura në publik, IKMT ka kryer verifikimet në terren në Pishë-Poro-Nartë. Nga ky verifikim është konstatuar se në Zonën Kadastrale 1007, në pasurinë Nr. 262/12 të regjistruar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës në emrin e personit juridik “Albania Land Development” po kryheshin punime rrethimi dhe punime përgatitore për rrugët e aksesit.
Këto punime rezulton se po kryhen në bazë të Vendimit Nr.5, datë 29.04.2026 “Për kryerjen e punimeve të rrethimit dhe të punimeve përgatitore në funksion të ndërtimit të rrugëve të aksesit brenda prone”, me vendndodhje në Zvërnec, Bashkia Vlorë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Zvërnec South Adriatic Development” sh.p.k. Leja e sipër cituar është lëshuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Ndërkohë, sipas njoftimit, Agjencia e Zhvillimit të Territorit po vijon më tej me procedurat e lëshimit të Dokumentit të Lejes së Zhvillimit, në përmbushje të akteve nënligjore dhe në zbatim të ligjit Nr.107/2014, datë 31.07.2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.
Subjekti disponon dhe Raportin Paraprak të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), “Zvërnec Peninsula – Kompleks Multifunksional, Banimi, Shërbimesh, Hotelerie, Rekreacion, Marina, 1, 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8 Kate”, me vendndodhje në Zvërnec, me Subjekt Zhvillues Shoqërinë Zvërnec South Adriatic Development Sh.P.K.
Për çdo leje të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit, IKMT krijon grupe të përbashkëta inspektimi në bashkëpunim me Agjencinë e Zhvillimit të Territorit me synim garantimin e ligjshmërisë në zbatimin e projekteve të miratuara.

