Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, së bashku me Inspektorin e Përgjithshëm Dashnor Sula, zhvilloi një analizë të detajuar mbi ecurinë e punës së institucionit.
Ristrukturimi i IKMT-së ka nisur me përthithjen e trupave inspektuese në fushat e mjedisit, pyjeve dhe zonave të mbrojtura, të cilat tashmë po integrohen me strukturat e ndërtimit, duke synuar një qasje më të unifikuar dhe efikase në terren.
Pas miratimit të ligjit të ri, pritet të çelet edhe faza e dytë e reformës, e cila parashikon përfshirjen e të gjitha IMT-ve vendore në një trupë të vetme inspektuese, duke forcuar koordinimin dhe kontrollin në nivel kombëtar.

Në fokus mbetet si prioritet i padiskutueshëm përputhja e arsimit të inspektorëve me funksionin e tyre, rritja e kontrolleve të përbashkëta ndërinstitucionale dhe forcimi i transparencës, në përmbushje edhe të rekomandimeve të lëna nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Në bashkëpunim të ngushtë me projektuesit dhe supervizorët, IKMT synon të garantojë sigurinë e objekteve dhe disiplinimin në ndërtim në çdo hallkë të procesit, duke përfshirë volumetrinë, strukturën dhe cilësinë e betonit, sistemet hidrike e elektrike, si dhe lidhjet me rrjetet e ujësjellës-kanalizimeve.

