IKMT nis planin e kontrollit për garantimin e sigurisë dhe respektimin e standardeve në kantieret e ndërtimit

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka nisur ditën e sotme në terren zbatimin e planit të kontrollit për verifikimin e respektimit të masave të sigurisë në kantieret e ndërtimit, në bashkëpunim me AZHT dhe IMT Tiranë.

Qëllimi i këtij procesi është garantimi që zhvillimi urban të realizohet në përputhje të plotë me parametrat teknikë të lejeve të miratuara. Çdo leje ndërtimi përmban një sërë detyrimesh për subjektet ndërtuese, të cilat duhet të zbatohen me rigorozitet, si në drejtim të respektimit të projektit teknik, ashtu edhe në lidhje me zbatimin e standardeve të sigurisë në kantier.

Ndërtimi dhe zhvillimi i qytetit duhet të zhvillohen në harmoni të plotë me jetën e përditshme të komunitetit përreth. Për këtë arsye, nuk do të tolerohet asnjë subjekt që nuk merr masat e nevojshme për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit, si të punëtorëve në kantier, ashtu edhe të banorëve të zonës.

Qasja e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit mbetet fillimisht parandaluese dhe korrigjuese. Subjekteve do t’u lihet një afat për të korrigjuar mangësitë e konstatuara gjatë kontrolleve. Në rast të mosmarrjes së masave për përmirësim, do të zbatohen sanksionet përkatëse në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Paralelisht me Tiranën, kontrollet do të vijojnë në të gjithë territorin e vendit, me qëllim rritjen e standardeve të sigurisë dhe garantimin e një zhvillimi urban të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm.