Specialist – Sektori i Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Financës dhe Shërbimeve Mbështetëse

Përshkrimi përgjithësues i punës për pozicionin si më sipër është:

Zbaton programin e punës sipas miratimit nga përgjegjësi i sektorit, në përputhje me aktet ligjore e nënligjore.

Kontrollon respektimin e orarit zyrtar si dhe regjimin e hyrje-daljeve të punonjësve.

Punon për krijimin, plotësimin, sistemimin dhe ruajtjen e dosjeve të dokumentacionit individual të punës, për çdo punëmarrës.

Përpilon listëprezencën ditore për çdo punonjës, evidenton mungesat dhe për rastet e mungesave të arsyetuara administron dokumentin justifikues (raport shëndetësor, fletëthirrje në prokurori ose në gjykatë, detyrim paraqitjeje në organet e tjera të autorizuara, përmbushjen e një detyrimi të caktuar ligjor etj.).

Në përputhje me legjislacionin e punës dhe orientimet e instancave eprore, përgatit grafikun e lejeve vjetore të pagueshme për çdo punonjës, paraqet për miratim dhe mbikëqyr në vazhdimësi zbatimin praktik në përputhje me grafikun e miratuar.

Trajton në përputhje me porositë e eprorëve dhe brenda afateve, praktikat e korrespondencës administrative, të adresuara pranë sektorit, përpilon shkresa dhe materiale të ndryshme, duke nënshkruar kopjen e dokumentit që arkivohet.

Kryen çdo detyrë tjetër që i ngarkohet nga instancat eprore.

Kritere të përgjithshme:

Të jetë shtetas shqiptar;

Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;

Të mos jetë i dënuar brenda dhe jashtë vendit.

Kritere të posaçme:

Arsimi: Të zotërojë diplomë të nivelit Bachelor, Master Profesional ose Master i Shkencave, Shkenca Juridike dhe Shkenca Shoqërore.

Edhe diploma Bachelor të jetë në të njëjtën fushë.

Kandidatët që aplikojnë duhet të dorëzojnë dokumentet si më poshtë:

Kërkesë për punë

Jetëshkrim

Diplomë dhe listën e notave të noterizuara (përfshirë edhe diplomën Bachelor). Për diplomat e marra jashtë Republikës së Shqipërisë të përcillet njehsimi nga Ministria e Arsimit dhe e Sportit;

Fotokopje të librezës së punës;

Fotokopje të letërnjoftimit (ID);

Vërtetim të gjendjes shëndetësore;

Vetëdeklarim të gjendjes gjyqësore;

Vërtetim që nuk ka marrë masa disiplinore për cenim të rregullave të etikës;

Vërtetim gjykate/prokurorie;

Letër reference;

Certifikatë personale/familjare;

2 (dy) foto (për dokumente);

Çdo dokumentacion tjetër që vërteton mesataren e ponderuar të diplomës (listë notash, vërtetim nga fakulteti), trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin tuaj.

Mosdorëzimi i dokumenteve të mësipërme dhe mosplotësimi i kritereve, e skualifikojnë automatikisht aplikantin.

Kandidatët do të vlerësohen në dy faza:

Faza e parë – Dosja personale (eksperienca dhe kualifikimet), deri në 70 pikë;
(Do të kualifikohen për fazën e dytë të vlerësimit, tre aplikantë që kanë pikët më të larta nga faza e parë e vlerësimit).

Faza e dytë – Intervista e strukturuar me gojë (njohuritë, aftësitë, kompetencat në lidhje me përshkrimin e punës si dhe motivimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre), deri në 30 pikë.

Kandidatët e kualifikuar në fazën e parë të konkurrimit do të njoftohen elektronikisht për datën, vendin dhe orën ku do të zhvillohet faza e dytë.

Aplikimi dhe dorëzimi i të gjitha dokumenteve të cituara më sipër duhet të bëhet brenda datës 05.03.2026, nëpërmjet dorëzimit në rrugë postare në protokollin e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Rruga “Muhamet Gjollesha”, pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Tiranë.

Shqyrtimi dhe vlerësimi i aplikimeve, listimi i kandidatëve do të bëhet brenda datës 09.03.2026.