Inxhinierët e rinj të pyjeve, IKMT marrëveshje me Universitetin Bujqësor të Tiranës

Në mjediset e Universitetit Bujqësor të Tiranës u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi mes këtij institucioni dhe Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit. Marrëveshja e firmosur nga Rektori z. Fatbardh Sallaku dhe Kryeinspektori i IKMT z.Afrim Qendro synon forcimin e kapaciteteve profesionale dhe institucionale në fushën e mbrojtjes së mjedisit, pyjeve dhe burimeve ujore.
Marrëveshja parashikon zhvillimin e praktikave profesionale për studentët, trajnime dhe shkëmbim ekspertize mes dy institucioneve, si dhe bashkëpunim në projekte studimore dhe përdorimin e teknologjive për monitorimin e territorit.
Gjatë takimit me studentët e Fakultetit të Shkencave Pyjore, Kryeinspektori i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi për afrimin e studentëve me praktikën institucionale dhe forcimin e kapaciteteve profesionale në mbrojtjen e mjedisit.
“Kemi firmosur një marrëveshje me Rektorin e Universitetit për një bashkëpunim midis dy institucioneve. Bashkëpunimi do të konsistojë në dy fusha. E para, do të jetë një derë e hapur për të gjithë studentët që janë në degën e pyjeve dhe mjedisit që të kenë mundësinë të kryejnë praktikën mësimore pranë institucionit. E dyta, ne do të kemi një marrëdhënie të vazhdueshme trajnimi pranë fakultetit për gjithçka që lidhet me fushën e pyjeve dhe mjedisit”, u shpreh ai.
Kryeinspektori nënvizoi gjithashtu nevojën për më shumë profesionistë të kësaj fushe në strukturat e institucionit.
“Jemi përpara një problematike të madhe si institucion. Në përbërjen tonë mungojnë inxhinierë pyjesh që të punojnë në profesion. Do t’ju lutesha që të aplikoni, qoftë për praktika, qoftë ata që kanë përfunduar studimet të vijnë të punësohen pranë inspektoratit”, tha ai.
Ky bashkëpunim vjen në vazhdën e marrëveshjeve që Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka nisur me institucionet akademike, pasi më herët është firmosur një marrëveshje e ngjashme edhe me Universiteti i Tiranës, konkretisht me Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, me qëllim afrimin e studentëve me praktikën profesionale dhe forcimin e kapaciteteve teknike të institucionit.
Marrëveshja me Universitetin Bujqësor synon të krijojë ura të qëndrueshme bashkëpunimi mes akademisë dhe institucioneve publike, duke lidhur njohuritë teorike me përvojën praktike dhe duke kontribuar në përgatitjen e profesionistëve të rinj për mbrojtjen e mjedisit dhe të pyjeve.