Kryeinspektori

Afrim Qendro

Shkurt 2026, Kryeinspektor IKMT

Afrim Qendro ka lindur më 28 shtator 1967 në Gjirokastër. Studimet e larta i ka përfunduar në Universitetin Politeknik të Tiranës, ku është diplomuar fillimisht në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, dega Transport, dhe më pas ka vijuar studimet në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, në degën Infrastrukturë dhe Transport.

Ai mban titullin Master në planifikimin e sistemeve të transportit, menaxhimin e trafikut dhe sigurinë rrugore.

Gjatë viteve në shërbim publik, Qendro ka ndjekur trajnime të shumta brenda dhe jashtë vendit, me fokus në infrastrukturë dhe transport.

Karriera e tij përfshin një përvojë të gjatë në administratën publike. Në vitet 2021–2026, Qendro ka mbajtur detyrën e Prefektit të Qarkut Tiranë, ndërsa në vitet 2020–2021 ka shërbyer si Nënkryetar i Bashkisë së Vlorës.

Më herët, ai ka ushtruar funksione drejtuese në Autoritetin Rrugor Shqiptar, si Drejtor i Përgjithshëm (2017–2019) dhe si Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm, si dhe Drejtor i Drejtorisë së Projekteve të Brendshme dhe të Huaja Teknike (2013–2017).

Në Bashkinë e Tiranës ka mbajtur disa detyra drejtuese, ndër to: Drejtor i Drejtorisë së Rrjeteve Inxhinierike (2010–2011), Kryeinspektor i Inspektoratit Ndërtimor dhe Urbanistik (2007–2010) dhe Drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme Nr. 1 të Qytetit (2001–2007). Gjatë viteve 2003–2008 ka qenë gjithashtu anëtar i Bordit Drejtues të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara kundër Trafikimit.

 

Në vitet 1999–2000 ka punuar në sektorin privat si konsulent/inxhinier. Më herët, gjatë periudhës 1998–1999, ka shërbyer si Drejtues i Kartotekës pranë Drejtorisë së Qarkullimit Rrugor Tiranë. Në vitet 1997–1998 ka mbajtur detyrën e Shefit të Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë e Policisë Tiranë. Ndërsa karrierën e tij e ka nisur në vitin 1994 si Oficer i Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë e Policisë së Rrethit Gjirokastër, ku ka shërbyer deri në vitin 1997.