Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, nën drejtimin e Kryeinspektorit Afrim Qendro, zhvilloi një takim me drejtuesit e IKMT Qendër si dhe drejtorive rajonale, ku u analizua ecuria e përmbushjes së detyrave funksionale si dhe sfidat e pritshme në kuadër të reformës ligjore të inspektorateve. Takimi shërbeu për të qartësuar hapat e mëtejshëm të institucionit në garantimin e ligjshmërisë në të gjithë territorin e vendit.

Gjatë diskutimeve u theksua se IKMT duhet dhe do të marrë me përgjegjësi profilin e një institucioni me natyrë inxhinierike, që garanton mbi të gjitha monitorimin në kohë dhe zhvillimin e territorit në përputhje dhe harmoni me përcaktimet ligjore. Synimi kryesor i këtij transformimi mbetet parandalimi i shkeljeve që në fazat fillestare.

Kryeinspektori Qendro bëri të qartë se sjellja e punonjësve të IKMT-së në territor duhet dhe do të jetë një shembull integriteti dhe profesionalizmi në çdo hap. Çdo tejkalim që cenon këto parime do të konsiderohet automatikisht kapërcim i një vije të kuqe të patolerueshme që do të sjellë pasojat përkatëse ligjore për cilindo që nuk respekton detyrën.

