Sektori Inspektimit Pyjor pranë IKMT Qarku Lezhë, ka vazhduar gjatë ditës së djeshme të jetë prezent në vatrën e zjarrit në ekonominë pyjore Mali i Rrencit e cila ka përparuar gjatë natës nga era e fortë drejt Ranës së Hedhun.
Zjarri gjatë natës ka vijuar të jetë aktiv, favorizuar edhe nga era e fortë, çka ka bërë të përhapet në tre vatra të mëdha. Gjithashtu rreth orës 09:15 është vënë re një vatër e re zjarri e cila u përhap me shpejtësi nga era në ekonominë pyjore Kakarriq brenda Njësisë Administrative Balldren.
Ndërhyrja në këtë faqe mali është e vështirë për shkak të terrenit të thyer, por situata po monitorohet nga një zjarrfikëse. Zjarri përparon i favorizuar nga era drejt jugperëndimit.
DRIKMT Lezhë ka qenë në gadishmëri per izolimin e këtyre vatrave në bashkëpunim me punonjësit e Bashkisë, zjarrfikësit dhe Forcat e Armatosura.