bici4



13 Dhjetor 2014




A kujtoni dot, qoftë edhe një rast të vetëm, kur një grup banorësh të një pallati apo të një lagjeje, në gjithë Shqipërinë, janë bashkuar për të prishur një ndërtim të paligjshëm që atyre u kishte hequr të drejtën e hapësirës që u takonte? Nuk besoj se do t’ju ndihmojë kujtesa, sepse nuk ka. Jo pse ne shqiptarët nuk i duam hapësirat publike, nuk e duam rregullin, por sepse ata që i shkelën këto rregulla, ata që nuk pyetën për të tjerët, në shumicën e rasteve “kopjuan” nga ai që shtetin e kishte “në xhep”. Dhe kështu, antishteti u shtri aq shumë, sa doli përtej jorganit e batanijes, dhe qytetarët, të pafuqishëm, vetëm mund të shihnin me sy dhe të plasnin me zemër. Sepse ankoheshin, por vetëm sa rriteshin statistikat.  Kush është sot beteja më e madhe? Pikërisht mundja, fitorja mbi antishtetin, jo në rrugë, jo mbi betonin, por mbi mentalitetin. Një mentalitet antishtet, mbishtet që ka mbizotëruar tash e parë dhe që ndonjëherë kthehet në formën e hileqarit, zuzarit, mashtruesit e gënjeshtarit. Është një mentalitet i mbështetur fort në fjalët inkurajuese të tranzicionit antishtet, “hajt se do t’ia gjejmë anën”. Të gjithë avokatë të Djallit?! Unë e pranova detyrën e kryeinspektores së INUK (Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar) jo për vazhdimësi, por për këputjen e njëtrajtshmërisë së funksionimit të këtij institucioni. Është e lehtë t’u rrahësh krahëve disave që të buzëqeshin, por është e vështirë t’u kthesh buzëqeshjen që ua kanë vjedhur mijëra të tjerëve. Unë kam zgjedhur rrugën e dytë, duke pasur edhe mbështetjen maksimale nga qeveria shqiptare e në këta muaj të vështirë pune edhe nga mijëra qytetarë. Sigurisht që jam duke bërë punën time duke u paguar nga taksat e shqiptarëve, ashtu siç mund të thotë kushdo dhe që e mirëkuptoj. Por të flasim hapur, varet se si e bën atë punë. Sepse mund të prishësh një godinë në gjithë Shqipërinë në disa vjet, ashtu siç mund të prishësh mijëra të tilla vetëm në kryeqytet për pak muaj. INUK është bërë sot pjesë e jetës së Tiranës. I zhurmshëm, i rrëmujshëm, i vrazhdë ndonjëherë, por edhe tolerant në shumë raste. Unë nuk rresht së falënderuari mediat dhe gazetarët shqiptarë që janë bërë pjesë e pandarë e jona duke na mbështetur. Unë gëzohem kur germat e INUK dalin nga goja e aktorëve brilantë të “Portokallisë”, sepse kjo më vërteton mua përtej raporteve zyrtare, se puna jonë është bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë. Se qytetarët kanë nisur të bëhen të ndërgjegjshëm se pas gati 25 viteve anarshie të ligjëruar, ka ardhur koha e ligjërimit të ligjit dhe të së drejtës. A kemi ne pengesa në rrugën tonë? Me dhjetëra. Me qindra. A kemi ndërhyrje? Me mijëra. Por unë i mirëkuptoj të gjithë ata qytetarë që irritohen me punën tonë. I mirëkuptoj, sepse ata nuk mund të kuptojnë, pavarësisht se e pranojnë, menjëherë se një ditë duhet t’i jepej fund grabitjes së shumicës së qytetarëve. Dhe kjo ditë ka ardhur. Por unë nuk mirëkuptoj ata që këta qytetarë i kanë mikluar, i kanë nxitur, madje i kanë ndihmuar të ndërtojnë metastazat e antishtetit, e që sot kërkojnë llogari. Por për çfarë kërkojnë llogari? Në emër të kujt kërkojnë llogari? Ne sot në Tiranë po bëjmë edhe punën e INUV (Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor), sepse ky inspektorat ka gjetur me sa duket një zinxhir dhe është duke e dredhur deri në mes të vitit tjetër. Kemi kërkuar me dhjetëra e qindra herë bashkëpunim me ta, por përveç heshtjes nuk kemi marrë përgjigje tjetër. Kërkojnë llogari duke ngritur zërin, pa pritur asnjë shpjegim, duke mos ditur të bëjnë as zhurmuesin, persona që vazhdojnë të akuzohen për grabitje të hapësirave publike. Kërkojnë llogari për X ndërtim, në Y zonë të Tiranës, ndërkohë që bëjnë të verbrin dhe të shurdhrin kur u thuhet se INUK punon me plan. Sa mirë sikur të bënin ndonjëherë edhe të pagojin! Të bënin të pagojin kur gënjejnë gjithë shqiptarët se INUK prish shtëpitë e qytetarëve. I sfidoj të nxjerrin qoftë edhe një qytetar që pohon se mjetet e INUK kanë rrëzuar shtëpinë e tij. Janë po këta që kur kthehen nga udhëtimet e përjavshme jashtë Shqipërisë, flasin se sa bukur ishte në qytetet që vizituan dhe sa shëmtuar duket Tirana. Po, po. U duket e shëmtuar nga mbeturinat e prishjes së ndërtimeve nga INUK. Nuk kam pasur mundësi t’i pyes: Andej nga vizitojnë, kanë parë një batërdi të tillë antishtet sa kanë lënë këtu? Në fakt prej muajsh po mendoj se këta akuzonjës janë qejflinj të planeve qiellore dhe këtë kanë menduar edhe për vendin tonë. Vetë morën rolin e atij që bën kaosin; neve na mbetet të bëjmë rregullin. Por jo për arsye qiellore, por për qytetarët tanë tokësorë, të mbetur prej vitesh në mëshirë të antishtetit. Në emër të asaj shumice që sot ka nisur të marrë frymë lirisht, ne do të zhdukim nga Tirana e çdo qytetet tjetër, çdo cep, gungë, zgjatim, bark e njollë që bëjnë me turp çdo shqiptar që vetes i thotë qytetar, e që kërkon të pranohet si i tillë në botën proshtet të Perëndimit. (shkrim i botuar ne gazetën "PANORAMA")


*Kryeinspektore e INUK